Europa League, nis sot rrugëtimi për trofeun

15/09/2016 00:00

Sot nis edicioni i ri i Europa League. Këtë vit mendohet se rivaliteti do të jetë akoma më i madh, pasi në garë janë disa prej klubeve më të rëndësishme në Kontinentin e Vjetër. Por jo vetëm kaq, edhe shpërblimet për skuadrat janë shumë të majme dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të drejtën e kualifikimit direkt të fituesit për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, por edhe për përfitimet financiare.

Favoriti kryesor në këtë garë të re të ligës së vogël evropiane për publikun, por edhe për kompanitë e basteve është Manchester United. “Djajtë e Kuq” kanë në stol Jose Mourinhon dhe kanë shpenzuar 200 milionë euro për të sjellë në “Old Trafford” lojtarë si Pogba, Mkhytarian, Bailly dhe Ibrahimovic. Përveç kësaj, trajneri portugez ka në dispozicionin e tij futbollistë, vlera e të cilëve në merkato është 530 milionë euro, një shifër kjo marramendëse po ta krahasosh me një skuadër si Dundalk i Irlandës, vlera e së cilës mezi kap 1 milion euro.

Përveç Manchester United, skuadra të tjera që konsiderohen si pretendentë për të fituar Europa League janë edhe Roma, Inter dhe Fiorentina nga Seria A, Schalke 04 nga Bubndesliga, Zenit nga kampionati rus e Shakhtar nga kampionati ukrainas. Nuk mund të lihen pa përmendur as skuadrat spanjolle: Villarreal, Athletic Bilbao dhe Celta Vigo, që do të tentojnë të vijojnë dominimin e La Ligës në këtë eveniment, që nga momenti i ndryshimit të formatit në sezonin 2008/2009.

Në 7 edicionet e fundit të Europa League, skuadrat spanjolle kanë fituar 5 herë me Sevilla dhe Atletico Madrid, ndërsa 2 fitueset e tjera kanë qenë Porto dhe Chelsea.

Përsa i përket shpërblimit financiar, UEFA ka vendosur që ta përmirësojë atë. 15 milionë euro do të jepen vetëm për rezultatet në fushën e lojës, shifër së cilës i bashkohet ajo që do të jepet në varësi të asaj që do të paguajë çdo vend për të drejtat televizive të kompeticionit. Kjo do të thotë se skuadrat e Bundesligës, La Ligës, Serisë A ose Premier League që do të triumfojnë në Europa League do të përfitojnë 25 milionë euro.

Top Channel