Champions League; Bayern e Barça luajnë “tenis”, përmbys Napoli

13/09/2016 00:00

Kanë startuar mbrëmjen e sotme ndeshjet e Champions League, ku supersfida ka qenë PSG-Arsenal, ndeshje e cila ka përfunduar në barazim 1-1.

Ekipi ku luajnë dy shqiptarët Xhaka dhe Mustafa është ndëshkuar që në minutën e parë me anë të një goli të shënuar nga Cavani. Goli i uruguajanit nuk ka mjaftuar që PSG të sigurojë 3 pikëshin e parë në Champions League në një ndeshje tepër delikate për francezët, pasi janë ndëshkuar në minutën e 79’ nga Sanchez.

Me të njëjtin rezultat ka përfunduar edhe ndeshja tjetër e grupit A, Bazel- Ludogorets Razgrad. Trajneri Urs Fischer ka aktivizuar nga minuta e parë Taulant Xhakën, i cili ka bërë një lojë mjaft të mirë gjatë 90 minutave. Bazeli u gjend në disavantazh prej fundit të pjesës së parë, por në minutën e 79’ Renato Steffen barazoi rezultatin.

Por surpriza e mbrëmjes ka qenë ndeshja Dinamo e Kievit-Napoli, ku italianët ia kanë dalë që të fitojnë edhe pse janë gjendur në disavantazh prej minutës së 26’ me një gol të shënuar nga Denis Garmash. Por me një talent si Milik në fushë vështirë se mund të humbasësh, sulmuesi polak shënoi dy herë brenda pjesës së parë në portën e mbrojtur nga portieri Olexandr Shovkovskiy, në të 36’ dhe 45’.

Ndërsa ndeshja tjetër e grupit B, Benfica-Beshiktash ka përfunduar 1-1. Ndërsa kryesonin ndeshjen nga minuta e 12’, portugezët janë shokuar nga një gol nga ana e Anderson Talisca në minutën e tretë shtesë çka u dha turqve të Beshiktash 1 pikë mjaft të vlefshëm.

Barcelona në Camp Nou ka bërë detyrën ndaj skocezëve të Celtic duke fituar me rezultatin 7-0, tre gola të shënuar nga Messi, në të 3’; 27’; 63. Dy të tillë të shënuar nga Suarez në 75’ dhe 88’. Nga një gol shënuan edhe Naymar dhe Iniesta, përkatësisht në të 50’ dhe 59’. Gjatë pjesës së parë ekipi i drejtuar nga Brendan Rodgers pati një mundësi të shënonte golin e nderin në minutën e 24’, por Moussa Dembele gaboi nga pika e bardhë.

Sfida tjetër e Grupit C mes Manchester City dhe Borussia Moenchengladbach është shtyrë për shkak të motit të keq.

Një ndeshje e lehtë ishte edhe për Bayern Munchen i cili fitoi 5-0 në Allianz Arena ndaj Rostov me gola të Lewandowski i cili ktheu në gol një penallti të akorduar në minutën 28’; Muller që pak para përfundimi të pjesës së para dyfishoi rezultatin dhe Kimmich i cili shënoi dygolësh, në të 53’ dhe 60’. Ndërsa në minutën e 90’ ka qenë Juan Bernat ai që i ka dhënë goditjen përfundimtare duke përmbyllur edhe ndeshjen në shifrat 5-0.

Një fitore jo e lehtë ka qenë ajo e Atletico Madrid ndaj holandezëve të PSV në transfertë. Goli i shënuar nga Saul Niguez në të 43’ nuk ka mjaftuar për t’u dhënë tre pikët spanjollëve, është dashur edhe mrekullia e portierit Jan Oblak që priti një penallti në fundin e pjesës së parë.

Top Channel