Kroacia voton mes bllokadës politike. Sondazhet: Asnjë fitues i qartë

11/09/2016 00:00

Kroatët zgjedhin sot qeverinë për të dytën herë brenda më pak se një viti. Sondazhet e opinionit parashikojnë një rezultat tepër të ngushtë e një tjetër koalicion të brishtë, të cilit do t’i mungojë një mandat i qartë për implementimin e reformave të dhimbshme ristrukturuese të kërkuara nga BE-ja.

Aleanca katërpartiake e udhëhequr nga socialdemokratët besohet se do të arrijë të sigurojë 60 nga 151 vendet në Parlamentin e fragmentuar kroat. Rivalja e saj konservatore “HDZ”, Union Demkoratik Kroat, llogaritet të marrë disa vende më pak.

Në këtë situatë, secilës palë do t’i nevojitet mbështetja e partisë së qendrës së djathtë, “Most”. Kjo e fundit u shndërrua në lojtarin qëndror në zgjedhjet e nëntorit dhe në thelb kërkon t’i japë fund dominimit 20-vjeçar të dy partive të mëdha, të cilat i akuzon për korrupsion e klientelizëm.

Koalicioni “HDZ-Most” u shemb pas vetëm 5 muajsh ekzistence, mes mosmarrëveshjeve që kishin të bënin me postet politike, reformën e administratës publike dhe konfliktin e interesit. Kroacia mbetet njëra prej ekonomive me performancën më të dobët në Bashkimin Europian, pavarësisht disa zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit, të lidhura me anëtarësimin e vendit në BE.

Top Channel