F1, Mercedes “fluturon” edhe në Monza. Vettel në podium

04/09/2016 00:00

Gjithçka që pritej të ndodhte u konkretizua edhe pas 53 xhirove të garës për Çmimin e Madh të Monzas, në Itali.

Dy pilotët e Mercedesit “fluturojnë” dhe nuk tregojnë aspak mëshirë as në pistën e të zotëve të shtëpisë, “kokëkuqeve” të Ferrarit, që ashtu siç ishte parashikuar arrijnë gjithsesi të ngjiten në podium.

Britaniku Lewis Hamilton e nis keq garën, teksa parakalohet nga dy makinat Ferrari dhe përfundon në vendin e pestë përpara se t’i drejtohej kthesës së parë të pistës, por në fund të garës ia del mbanë të renditet i dyti, pas krahëve të gjermanit Nico Rosberg, shok skuadre me të cilin po këmbejnë vendet nga gara në garë.

Gjermani i Mercedesit fiton garën e 21-të personale e tashmë renditet me vetëm 2 pikë më pak se kolegu i tij rival, Hamilton. Ndërkohë, Vettel siguron vendin e tretë, sa për të ngushëlluar disi ata qindra e mijëra tifozë të Ferrarit që më shumë se kudo tjetër, në Monza shihen gjithnjë të entuziazmuar.

Raikkonen renditet pas krahëve të shokut të tij ferrarist, për t’u pasuar më pas nga Ricciardo, Bottas, Verstappen, Perez, Massa dhe Hulkenberg, i cili mbyll edhe 10-shen e pilotëve në zonën e pikëve të kësaj gare.

FOTO GALERI
1/23

Top Channel