Merkato e futbollistëve, Anglia shpenzon 1.4 miliardë euro

01/09/2016 00:00

Merkatoja e transferimeve të kësaj vere u mbyll dhe tashmë ka ardhur koha e bilanceve. Këtë vit kemi parë shumë transferime ku janë shpenzuar shifra marramendëse, siç është rasti i futbollit anglez.

Premier League ka vendosur një rekord me 1.4 miliardë euro të investuara në blerjen e futbollistëve të rinj dhe kjo ndodh për të dytin vit radhazi. Manchester City shpenzoi plot 213 milionë euro, ndërkohë që në krahun tjetër, te United, dëshirat e Muorinhos u realizuan, teksa “Djajtë e Kuq” bënë blerjen më të shtrenjtë, Paul Pogba, ndërkohë që sollën në “Old Trafford” edhe Zlatan Ibrahimovic.
 
Në Itali, kjo verë i rezervohet të ashtuquajturit tradhtar, Gonzalo Higuain. Argjentinasi u transferua nga Napoli te Juventusi për 90 milionë euro, një shifër kjo që përbën një rekord për futbollin italian të viteve të fundit. Në total, gjatë kësaj vere klubet e Serisë A kanë shpenzuar rreth 700 milionë euro, ku një kontribut ka dhënë edhe Interi, i cili vetëm për Joao Mario shpenzoi mbi 40 milionë euro.

Edhe Bundesliga vendosi një rekord këtë verë me 543.5 milionë euro të shpenzuara dhe protagonistë u bënë Bajerni e Borusia Dortmund. Bavarezët realizuan blerjen më të shtrenjtë në Gjermani, atë të Renato Sanches për 35 milionë euro, ndërkohë që shifra totale e shpenzuar është 70 milionë euro. Për Borusia Dortmund që ka 109 milionë euro të shpenzuara, blerja më e kushtueshme ishte ajo e Schurrles, 30 milionë euro.

Në Spanjë, merkatoja e transferimeve foli gjuhën katalanase, ku Barcelona solli në skuadër plot 6 futbollistë dhe këtu përfshihet edhe blerja më e re e këtij sezoni, Andre Gomes për 35 milionë euro. Është hera e parë në 16 vjet që futbollisti më i kushtueshëm në merkaton spanjolle nuk kalon tek Reali i Madridit. Në total, klubet e La Ligës shpenzuan 458.4 milionë euro, nga të cilat 157 milionë kanë dalë vetëm nga arkat e Barcelonës. Befasoi Reali i Madridit, i cili këtë vit shpenzoi vetëm 30 milionë euro për riblerjen e Moratës.

Top Channel