Prishtinë, Vetëvendosje publikon orarin e protestës. Policia e Kosovës, në gatishmëri

31/08/2016 00:00

Lëvizja Vetëvendosje, përmes llogarisë së saj në rrjetin social “Facebook”, ka publikuar orarin e nisjes së qytetarëve nga të gjitha qendrat e Kosovës për në protestën e 1 shtatorit që mbahet në Prishtinë.

Protesta mbarëpopullore është thirrur nga subjekti politik opozitar me qëllim për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje që pritet të votohet në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Protesta do të nisë në orën 11:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa seanca plenare do të fillojë vetëm 30 minuta më von, pra në orën 11:30.

Për këtë protestë është përgatitur edhe Policia e Kosovës, e cila siç raporton “Zëri”, ka rritur numrin e efektivëve të saj për të siguruar që gjithçka gjatë ditës së nesërme të zhvillohet brenda normave të rendit dhe sigurisë në vend.

Gjithashtu mësohet se edhe KFOR-i ka urdhëruar të gjithë civilët e saj të armatosen dhe të jenë të gatshëm për protestën që do të zhvillohet nga Vetëvendosje.

Burime të gazetës në fjalë bëjnë të ditur gjithashtu se nesër mund të pengohen disa deputetë dhe të mos lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel