PD: Rama, zhvatje qytetarëve me fatura pas zgjedhjeve

30/08/2016 00:00

Partia Demokratike, përmes deputetes Dhurata Çupi ka denoncuar këtë të martë një “mashtrim klasik” të Edi Ramës. Në një deklaratë për mediat, Çupi ka treguar faturën që sipas opozitës kryeministri dërgon për qytetarët para zgjedhjeve.

“Kemi një faturë për një familje në Dibër në fund të majit 2015, pra pak para zgjedhjeve të qershorit. Thotë se detyrimi për vitet 2007-2015 është zero lekë. Mbaruan zgjedhjet, nxjerr kokën Edi Rama. Ja fatura e fundit të qershorit. E njëjta periudhë që para zgjedhjeve faturohej me zero lekë, i vjen pas një muaji familjes së varfër dibrane me 1 milionë e 580 mijë lekë. Këto lloj faturash kanë qenë masive”, ka deklaruar Çupi.

Sipas saj, “ky është një mashtrimi tipik i Edi Ramës para zgjedhjeve, një prej përpjekjeve të tij për të kapur votat”.

“Prandaj ka dërguar në Dibër Damianin, njeriun e faturave të larta të energjisë, të faturave abuzive, njeriun e burgut dhe errësirës për të varfërit. Me mashtrime, me kërcënime, me milionat e Sadriut dhe me çdo formë tjetër Edi Rama po tenton të kapë votën në Dibër”, ka thënë Çupi.

Por, sipas saj, dibranët dhe shqiptarët nuk mund të mashtrohen dy herë. “Vota e 11 shtatorit ka për të zmbrapsur damianët e gjithë marifetet e Ramës. Dibra e para do të nisë një ditë të re pa mashtrimet e pa krimet e qeverisë. Dibra më mirë pa Edi Ramën. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar Çupi.

Top Channel