Sulmohet ambasada kineze në Kirgistan

30/08/2016 00:00

Përplasja e një makine-bombë me kangjellat e ambasadës kineze tronditi mëngjesin e sotëm qetësinë e kryeqytetit të Kirgistanit, Bishkek.

Kamikazi që drejtonte mjetin vdiq, ndërsa tre punonjës të misionit diplomatik, mbetën të plagosen. Të lënduarit janë shtetas kirgizë. Asnjë kinez nuk mori lëndime nga sulmi, siç pohoi vetë shefi i sigurisë së ambasadës. Ministria e Jashtme kineze e dënoi incidentin si “një sulm të dhunshëm ekstremist” e i nxiti autoritetet vendase të ndërmarrin një hetim sa më të plotë mbi ngjarjen.

“Kina është thellësisht e tronditur nga ky episod, Ministria e Jashtëm aktivizoi menjëherë mekanizmin e saj të përgjigjes dhe i ka kërkuar palës kirgizë implementimin e menjëhershëm të çfarëdolloj mase që do të garantoje sigurinë e institucioneve dhe qytetareve kinezë në Kirgistan. Ne duam gjithashtu të zbardhet sa më parë se çfarë qëndron pas këtij incidenti dhe personat përgjegjës të ndëshkohen rreptësisht”, tha Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze.

Deri tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Makina raportohet të ketë thyer derën kryesore e ka shpërthyer kur është ndodhur në qendër të kompleksit, shumë pranë rezidencës së ambasadorit. Pavarësisht forcës së shpërthimit, i vetmi që vdiq atje ishte atentatori vetëvrasës, ndërsa të plagosurit janë roje sigurie.

Fill pas ngjarjes, stafi i ambasadës u evakuua me shpejtësi, e po kështu u larguan edhe punonjësit e selisë diplomatike amerikane, të ndodhur në afërsi. Autoritetet vendase patën ndërmarrë një sërë operacionesh anti-terrorizmit në Bishkek vitin e kaluar. Zyrtarët besojnë se rreth 500 shtetas kirgizë i janë bashkuar militanteve të ISIS-it në Siri dhe Irak.

Top Channel