Gjesti i Gabriel, zv.kancelari gjerman: S’jam penduar

28/08/2016 00:00

Zëvendëskancelari gjerman, njëkohësisht ministër i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, iu përgjigj fare thjeshtë valës së kritikave që vërshuan pasi i tregoi gishtin e mesit një grupi protestuesish të krahut të djathtë në fillim të muajit.

Njeriu i dytë në krye të qeverisë pas Angela Merkelit, u shpreh se gabimi i tij i vetëm ishte që nuk i ka përdorur të dyja duart. “Mendoni pak -u tha ai të indinjuarve- se çfarë do të kishit bërë ju nëse do të ishit gjendur përballë 12 neonazistëve të rinj, agresivë dhe të gatshëm për dhunë”.

Ngacmimi i numrit dy të ekzekutivit ndodhi në veri të vendit. Grupi i të rinjve e quajti atë tradhtar të popullit dhe përmendi të shkuarën e babait të tij si nazist, gjë të cilën Gabriel vetë nuk e ka mohuar ndonjëherë.

Ai ka folur hapur mbi të atin Walter, një mbështetës i partisë së Adolf Hitlerit që e ka holokaustin deri në vdekjen e tij në vitin 2012. “Babai yt e donte këtë vend -dëgjohet të thotë njëri nga protestuesit në video- ndërsa ti çfarë po bën, po e shkatërron”.

Pak pas incidentit atëherë, Partia Social-Demokrate sqaroi përmes një deklarate se ai i zëvendëskancelarit kishte qenë një reagim emocional.

“Është e qartë se Sigmar Gabriel nuk e konsideron atë gjest një formë të përshtatshme të komunikimit te përditshëm -thuhej aty- por me neonazistët e egërsuar e të përgatitur për dhunë nuk kishte mundësi komunikimi”.

Top Channel