“Pastrimi” i kullotave shkrumbon pyje dhe ullishte

28/08/2016 00:00

Mbi 1200 rrënjë ullinj janë djegur në fshatin Dushk të Lushnjes si pasojë e një zjarri që përfshiu disa faqe kodre. Flakët u vunë qëllimisht nga dy të rinj për të pastruar shkurret në pronat e tyre, por situata ka dalë jashtë kontrollit dhe zjarri ka përfshirë ullishtet.

Shuarja u bë gjatë natës nga banorët e zonës, pasi zjarrfikësit e kishin të pamundur për të shkuar në terren. Policia ndaloi dy persona: Elton Qosja, 34 vjeç dhe Julian Qosja, 26 vjeç, të dy banues në Lushnje, ndersa dosja ka shkuar në prokurori.

Dëmet, siç shpjegon administratori i Dushkut, janë të mëdha dhe mjaft rrënjë ullinj kanë dalë jashtë përdorimit. Për të tjerat duhet kohë që të rifillojnë prodhimin.

Administratori i fshatit Dushk, Afrim Dedej bën apel për kujdes në vënien e flakëve për pastrmin e kullotave.

E janë pikërisht çobenjtë shkaktarët më të mëdhenj të zjarreve në disa zona të vendit. Tre ditë më parë, një çoban 63-vjeçar u prangos për zjarrvënie të qëllimshme në malet rreth Shëngjinit. Ndërkohë, dyshimet për zjarrvënie nga barinjtë janë edhe për flakët që përfshinë zonën e Oroshit në Mirditë, ku janë djegur rreth 80 hektarë.

Sipas autoriteteve, zjarri është vënë nën kontroll nga ndërhyrjet e ushtrisë dhe zjarrfikësve.

Top Channel