Basha: Dibranët nuk duan lëmoshë, por mundësi për punë me dinjitet

26/08/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kandidati për kryebashkiak Sherefedin Shehu morën pjesë në aktivitetin “Bujar Kapexhiu – 50 vjet me karikaturën”, organizuar nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” në Peshkopi.

Kreu i opozitës solli në vëmendje një bisedë me një dibran, i cili tha se ata nuk duan mëshirë, as lëmoshë por duan mundësi, duan punë dhe dinjitet.
“Nuk lypin dibranët, më tha, nuk kërkojnë mëshirë dibranët. Edhe një dorë po të kemi do punojmë, edhe një këmbë po të kemi do punojmë, edhe cung po të jemi do punojmë. Nuk ka mëshirë, nuk ka lëmoshë, duam punë dhe punës i dalim zot”, theksoi Basha.

“Hallet janë të mëdha, problemet dhe vështirësitë janë të mëdha. Asgjë nuk është bërë për t’i lehtësuar ato. Beteja që ka nisur dhe që nesër formalisht e hapim do të vazhdojë ditë për ditë dhe orë për orë. Por ne e dimë që përtej të qenit demokrat, mbi kokat tona dhe në shpirtin tonë nuk valvit thjesht flamuri i Partisë Demokratike me gjithë idealet e saj, por dashuria për Dibrën, dashuria për Shqipërinë, vendosmëria për punë me nder e dinjitet, vendosmëria për t’i kthyer nder, punë dhe dinjitet Dibrës dhe dibranëve”, shtoi Basha.

Kandidati për kryebashkiak Sherefedin Shehu theksoi se së bashku me çdo dibran, do i rikthejë dinjitetin Dibrës: “Dua t’ju falenderoj dhe shpresoj që do ta justifikoj besimin tuaj. Shpresoj që Odën Dibrane do ta mbajmë atje ku e kanë vënë të parët tanë, ato burra të mençur, të zgjuar, punëtorë, atdhetarët të cilët kanë qenë prezentë që në Lidhjen e Prizrenit dhe që në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Kështu që tani është radha ime dhe e juaja që ta ngremë emrin e Dibrës dhe të bëjmë një hap përpara në drejtim të ngritjes tonë, në drejtim të ngritjes së Dibrës dhe të rikthimit të dinjitetit”.

Top Channel