Protestë nga Olimpiada, atleti etiopian denoncon dhunën e qeverisë së tij

22/08/2016 00:00

Mbyllen nën shenjat e protestave Lojërat Olimpike në Rio 2016. Për shkak të audiencës shumë të lartë që ka, etiopiani Feyisa Lilesa ka shfrytëzuar garën e maratonës për të mbështetur kauzën e tij politike.

26-vjeçari, i cili mori medaljen e argjendtë në metrat e fundit të garës, bëri xhestin e duarve të prangosura.

Të njëjtën gjë Lilesa bëri edhe gjatë ceremonisë së dhënies së medaljeve dhe pas saj ka shpjeguar se me atë xhest ai denoncon krimet e qeverisë së Etiopisë ndaj minoritetit etnik Oromo. Pas këtij xhesti, atleti vështirë se kthehet në Etiopi, pasi siç shkruajnë mediat botërore, ai rrezikon jetën.

Ndërkohë, humbja e medaljes së bronztë nga mongoliani Ganzorig, ka lënë të pakënaqur trajnerët e tij të cilët kanë protestuar në një mënyrë ndryshe para jurisë.

Ata kanë vendosur të zhvishen para gjyqtarëve, të cilët për një gabim teknik ia dhanë fitoren mundësit nga Uzbekistani, Navruzov.

Top Channel