Ishte i sëmurë mendor, jo terrorist

20/08/2016 00:00

Kosovari Dijar Xhema, që terrorizoi qytetin e Vlorës katër ditë më parë me veprimet e dhunshme dhe thirrjet “Allahu Ekber”, do të qëndrojë i shtruar në spitalin psikiatrik.

Ky është vendimi që dha paraditen së shtunës Gjykata e Krimeve të Rënda. Ndonëse prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, për akuzën e veprimeve për qëllime terroriste, gjykata refuzoi ta pranonte këtë kerkese, pasi avokati i Xhemës paraqiti një kartelë që vërtetonte trajtimin e kosovarit në spitalin psikiatrik të Mitrovicës dhe që vinte në dyshim përgjegjshmërinë e tij.

Ndërkohë, Prokuroria pritet ta apelojë këtë vendim edhe pse ka urdhëruar kryerjen e ekspertizës psikike ndaj Xhemës. Përfaqësuesi i organit të akuzës ka deklaruar se veprimet e Xhemës kanë qenë shumë të dhunshme ndaj tre personave që ka tentuar të fusë me dhunë në makinën e tij tip Audi.

Nëse nuk do të kishin ndërhyrë kalimtarë të rastit në dy tentativat e para dhe policia në tentativën e tretë, kur donte të nxirrte nga xhami i makinës drejtuesin e një mjeti që e kishte ndaluar, pasojat e këtyre veprime mund të kishin qenë më të rënda.

Ky vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda vjen në një kohë kur janë shënuar ngjarje makabre me protagonistë persona të dyshuar me probleme mendore, siç ishte ajo e Palasës dhe problematika e trajtimit apo izolimit të tyre është në qendër të vëmendjes së opinionit publik.

Top Channel