Probleme me ujin në Zelandën e Re

18/08/2016 00:00

Qeveria e Zelandës së Re nisi një hetim për ndotjen e ujit në veri të vendit, pasi me mijëra njerëz patën probleme shëndetësore si diarre apo të vjella. Ndërsa hetimi ka nisur, ujë me shishe u dërgua në zonat rreth qytetit Havelock në ishullin verior, pasi askush nga banorët nuk ka më besim tek uji i rubinetit.

Sipas autoriteteve neozelandeze, probleme shëndetësore kanë pasur rreth 3 000 njerëz tek të cilët është zbuluar i njëjti lloj bakteri, një shenjë e qartë ndotjeje. Mësohet se shumë shkolla në zonën e prekur janë mbyllur, ndërsa qendrat spitalore janë tejmbushur me pacientë.

Ngjarje të tilla janë shumë të rralla në Zelandën e Re, ku uji i rubinetit është zakonisht i sigurt për t’u pirë. Autoritetet njoftuan se kanë shtuar klor në ujë, ndërsa po përpiqen të gjejnë shkakun e ndotjes. Kryeministri i Zelandës së Re, Xhon Ki siguroi banorët e zonave të prekura se qeveria do t’i mbështesë plotësisht për të kaluar këtë krizë.

Ekspertët thonë se një helmim i tillë masiv është një goditje e fortë për industrinë e turizmit në Zelandën e Re, e cila promovon me forcë pastërinë dhe gjelbërimin e saj për të tërhequr turistët.

Top Channel