Aksident hekurudhor në jug të Francës, dhjetëra të plagosur

17/08/2016 00:00

Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në jug të Francës, ku të paktën 10 persona kanë mbëtur të plagosur rëndë, ndërsa 50 të tjerë kanë marrë plagë të lehta.

Aksidenti ndodhi pranë qytetit Montpelje, kur treni u përplas me një pemë që kishte rënë mbi hekurudhë si pasojë e motit të keq. Stuhitë e një mbrëmjeje më parë, përveçse kanë rrëzuar pemë, kanë dëmtuar edhe sistemin elektrik hekurudhor.

Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë shërbimet e emergjencës, mbi 10 ambulanca, si edhe një helikopter për të transportuar në spital personat e plagosur rëndë.

Pamjet e publikuara nga vendi i aksidentit tregojnë vagonët të dëmtuar tërësisht dhe copë xhamash të thyer. Pema e rrëzuar është hequr nga hekurudha nga njësitë zjarrfikëse.

Në tren mendohet se udhëtonin rreth 200 pasagjerë. Autoritetet kanë njoftuar se do të ketë vonesa të linjave të trenit që ishin programuar për të përshkruar këtë intinerar.

Top Channel