Sulmet në Tajlandë, pasiguria tensionon vendin

15/08/2016 00:00

Autoritetet tajlandeze deklaruan se seria e shpërthimeve që i kushtoi jetën katër njerëzve dhe plagosi dhjetëra të tjera në zonat turistike javën e shkuar, u orkestrua nga një person që drejton një rrjet terroristësh. Mësohet se më shumë sulme ishin planifikuar dhe policia ka gjetur disa mjete të tjera shpërthyese në qytete të ndryshme.

Megjithëse policia fajësoi një individ për sulmet, nuk janë dhënë më shumë detaje dhe spekulimet vazhdojnë. Mediat vendase thonë se një person është arrestuar, por sërish detajet janë të pakta. Aktualisht, asnjë grup nuk ka marrë përsipër autorësinë për sulmet dhe duket se autoritetet kanë përjashtuar mundësinë e terrorizmit ndërkombëtar.

Pistat më të besueshme janë armiqtë e juntës ushtarake apo rebelët separatistë që operojnë në jug të vendit. Sulmet në zonat turistike u bënë pa u mbushur java e referendumit për Kushtetutën e re që çimentoi pushtetin e ushtrisë në çdo qeveri të ardhshme.

Kjo padyshim që zemëroi edhe më tej armiqtë e juntës në Tajlandë dhe duket arsye mjaft e fortë për sulmet. Ekspertët thonë se Tajlanda nuk ka një histori të mirë trasnparence kur bëhet fjalë për sulme të tilla dhe zor se e vërteta do të merret vesh plotësisht. Vitin e shkuar, 22 persona humbën jetën në një sulm me bombë në kryeqytetin Bangkok dhe qeveria bëri disa deklarata kontradiktore për fajtorët, derisa më në fund vendosi se ishte vepra e një grupi trafiku njerëzish.

Akoma sot askush nuk ka marrë përgjegjësinë për atë sulm. Gjithsesi, ajo që dihet me siguri është se sulmi ishte një aksion i drejtpërdrejtë ndaj turizmit në Tajlandë dhe dëmi mund të shkojë deri në 1 miliard dollarë.

Top Channel