Nigeri, “Boko Haram” publikon një video të vajzave të rrëmbyera

14/08/2016 00:00

Grupi islamik nigerian “Boko Haram” publikoi një video, ku shfaqen disa nga vajzat e rrëmbyera dy vite më parë, nga një shkollë në qytetin Chibok.

Rreth 50 vajza me shall në kokë shihen pas një militanti të organizatës, i cili kërkon lirimin e luftëtarëve në këmbim të vajzave. “Boko Haram” rrëmbeu 276 vajza nga shkolla e tyre në qytetin verior Chibok, ndërsa besohet se 219 prej tyre janë ende në duart e militantëve.

Kjo është videoja e tretë, që “Boko Haram” publikon me vajzat, që prej rrëmbimit të tyre.

Në video, militanti interviston edhe një prej vajzave, e cila thotë se quhen Maida Jakubu dhe është nga Chiboku. Ajo nxitet nga militanti që t’i kërkojë qeverisë nigeriane të lirojë luftëtarët e burgosur të “Boko Haram”.

Analistët thonë se “Boko Haram” ka pretenduar gjithnjë se vajzat do të lirohen vetëm nëse qeveria nigeriane pranon kërkesat e tij. Përmes videos, ky grup kërkon që të paraqesë qeverinë si personazhin negativ, e thotë se bombardimet e ushtrisë i kanë kushtuar jetën disa vajzave të rrëmbyera.

“Boko Haram” lufton kundër autoriteteve prej vitesh në veri të Nigerisë, me qëllim krijimin e një zone nën ligjin islamik. Së fundmi, kjo organizatë u nda, pasi një pjesë e saj iu zotua për besnikëri Shtetit Islamik.

Top Channel