Ikën edhe Smajlaj, në Rio mbetet vetëm Luiza Gega

13/08/2016 00:00

Shqiptari Izmir Smajlaj renditet i 21-të në olimpiadën e Rios në kërcim së gjati. Shkodrani 23-vjeçar kërceu 7 metra e 72 centimetra në garat kualifikuese, më pak nga rekordi kombëtar 8 metra e 3 centimetra, që mbahet nga vetë ai.

Përfundon këtu aventura e Smajlajt në këto lojra olimpike, i renditur i 21 duke lënë pas vetes 11 sportistë të tjerë. 12 të parët në këto kualifikuese kaluan në turin tjetër, ndërkohë që i pari në prova ishte kinezi Jianan Vang me 8 metra e 24 centimetra, i ndjekur nga amerikani Xhef Henderson dhe uruguiani Lassa.

Tashmë është Luiza Gega përfaqësuesja e vetme shqiptare në këto lojra olimpike, e cila rreth orës 15:15 do të garojë në 3000 metra me pengesa, ku do të kërkojë kualifikimin për në finalen e madhe të 15 Gushtit.

Kjo është hera e parë që Luiza Gega, e cila është dhe nënkampionia e Europës në këtë disiplinë merr pjesë në një olimpiadë. Gara e atletes shqiptare do të transmetohet direkt në Supersport.

Top Channel