Wenger drejt sezonit të fundit me Arsenalin. Shkak dëmtimet dhe merkatoja e varfër

11/08/2016 00:00

Me një krizë dëmtimesh që mund ta penalizojë në javët e para të Premier League, si dhe një merkato që ka qenë larg pritshmërisë së tifozëve, Arsene Wenger mund të përjetojë sezonin e fundit në pankinën e Arsenalit.

Mungesa e gjatë e trofeve të rëndësishëm ka nisur të pakësojë radhët e admiruesve të teknikut “transalpin” në Londër, ndaj dhe ditët e mbetura të gushtit mund të vendosin shumë.

Sipas “Sky Sports”, Wenger ka arritur të bindë një tjetër futbollist me kombësi shqiptare, që t’i bashkohet “topçinjve”, e ky është Shkodran Mustafi që luan me Gjermaninë, i cili ka pranuar mes miqve se do të largohet nga Valencia.

Skuadra spanjolle po vuan për t’u ringjitur në majat e kompeticioneve europiane, ndaj dhe lojtari nga Gostivari synon një kampionat që e ka provuar më parë të jetë spektakolare. Arsenali ka hasur në probleme të mëdha me lëndimet para fillimit të sezonit, teksa dy mbrojtësit Mertesacker dhe Gabriel nuk do të mund të rikuperohen shpejt.

Mësohet se vlera e transferimit të mbrojtësit gjerman me prejardhje shqiptare do të jetë rreth 30 milionë paund. Por një tjetër objektiv konkret është sulmuesi i Leicester City, Mahrez, e nëse me këtë të fundit dështon, sikurse edhe Mustafi të mos mbërrijë, Arsene Wenger i ka ditët e numëruara.

Konkurrenca në rritje me Manchester United dhe City, Chelsea dhe Liverpool, ekipe këto që janë një hap përpara Arsenalit, vendos në dilemë edhe pjesëmarrjen në Champions për ekipin e drejtuar nga Wenger.

Top Channel