PD: Rama mbron kërcënimet në adresë të gjyqtarëve

10/08/2016 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, jo vetëm kërcënon gjyqtarët në mënyrë kriminale kur marrin vendime që nuk i pëlqejnë atij, por u del edhe në mbrojtje këtyre kërcënimeve.

Sipas PD, deklarata e pasdites e Partisë Socialiste lidhur me vendimin e Gjykatës Administrative për datën e zgjedhjeve në Dibër konfirmon veprën penale të kërcënimit të gjyqtarëve për të shtyrë zgjedhjet.

“Ndaj, ajo duhet t’i shërbejë prokurorisë të shkundet e të nisë menjëherë hetimin penal për këtë kërcënim. Por edhe më e rëndë se sa vetë sulmi e kërcënimi mafioz ndaj gjyqtarëve është mbrojtja e këtij sulmi dhe vendosja e Edi Ramës në pozitën e supergjyqtarit që interpreton ligjin dhe sulmon vendimin e gjykatës”, thuhet në deklaratën e PD.

Duke e cilësuar Ramën një “kryeministër në detyrë”, partia më e madhe e opozitës i sugjeron atij se, “bën mirë ta harrojë këtë ëndërr sulltanësh për të pasur të gjitha pushtetet nën sqetull”.

“Ai nuk po ushtron prej kohësh as detyrën e tij, ka hequr dorë me kohë nga përgjegjësia për tiu shërbyer qytetarëve. Puna e tij sot nis e mbaron duke mbrojtur oligarkët dhe bandat e drogës. Ndaj e do drejtësinë me çdo kusht, sepse i dhemb ndëshkimi që e pret nga vota e qytetarëve dhe nga ligji nesër. Shqiptarët duan drejtësi e ligj. Shqiptarët nuk duan drogë e sundim bande. Shqiptarët mbarë e dinë se Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, përfundon reagimi i Partisë Demokratike.

Top Channel