Leicester, gati për të ripërsëritur përrallën e Hirushes. Por…

08/08/2016 00:00

Një ditë pasi arriti të ngrinte trofeun më të pamendueshëm ndonjëherë në historinë e futbollit anglez, si ideator i gjithë suksesit të ekipit, trajneri italian i Leicesterit, Claudio Ranieri u pyet për objektivat e tij në sezonin e ri të Premier League. A do të ishte synim qëndrimi ndër 4 të parët? Apo ndoshta mbrojtja e titullit?

Këto ishin pyetjet e gazetarëve, ndërsa përgjigjja e teknikut italian nuk ishte kaq e përafërt.  “E dimë shumë mirë. Do të duhet të luftojmë për vendin e 10 në renditje”, tha Ranieri.

Ambiciet e një ekipi kampion nuk kanë qenë kurrë kaq të ulëta. Kjo sepse, kampionët në fuqi të Premier League nuk janë kampionë “normalë”. Leicester shkroi historinë sezonin e kaluar, e ai sukses historik pritet të qëndrojë gjatë, për vite e vite të tëra ndoshta, duke mposhtur “peshat e rënda” të futbollit anglez dhe duke fituar kampionatin, ndërkohë që parashikimet për ta bërë diçka të tillë në fillim të sezonit kuotoheshin në 5000 me 1. Ata ishin një ekip që konsideroheshin gjerësisht se do të luftonin për mbijetesë, e ndoshta nuk do t’ia arrinin as kësaj. Por Leicester përfundoi sezonin me 10 pikë më shumë sesa vendi i dytë.

Tashmë janë gati për ta ripërsëritur këtë mrekulli, por kjo fushatë nuk do të nisë me të njëjtët aktorë. Kjo sepse Ranieri humbi “motorin” e mesfushës së tij, N’Golo Kante, që u transferua te Chelsea për 40 milionë dollarë. Një tjetër largim i rëndësishëm ishte ai i Steve Ëalsh, kreu i rekrutimeve në skuadër, i cili shënoi një rekord të jashtëzakonshëm duke thirrur në ekip emra të panjohur për t’i kthyer ata në yje të Premier League. Ai tashmë është pjesë e Evertonit.

Spekulime ka pasur gjatë të gjithë merkatos verore mbi të ardhmen e dy lojtarëve më të shquar të sezonit të kaluar, Jamie Vardy dhe Riyad Mahrez. I pari nënshkroi një marrëveshje të re me klubin, por dyshimet mbeten ende për marokenin Mahrez, nëse do të qëndrojë me të njëjtin klub deri në ditën e fundit të merkatos, 31 gusht. Mesfushori i krahut flitet të kalojë tek Arsenali.

Për sezonin e ri, që do të nisë nga fundjava, Leicester ka më shumë mundësi sipas parashikimeve që të fitojë sërish titullin kampion, pasi këtë herë kuotat variojnë nga 20 me 1 deri në 33 me 1. Ndeshjet përgatitore përpara sezonit, si asnjëherë tjetër, këtë verë kanë qenë kundër Paris SG dhe Barcelonës, ndryshe nga vitet e kaluara kur luante me Lincoln dhe Burton (jo më larg sesa viti 2015).

Pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri, për Leicester ka qenë edhe një udhëtim në stadiumin “Wembley”, aty ku u ndesh me Manchester United për Superkupën e Anglisë, apo siç njihet “Community Shield”, sfidë të cilën ekipi kampion i Premier League e humbi 2-1 ndaj “djajve”, që vinin si fitues të Kupës.

“Gjithçka është ndryshe tani. Ju mund të imagjinoni ekipe të mëdha që nuk fitojnë, që nuk futen në Champions League. Ata janë tepër të uritur tani, janë gati të ‘vrasin’ apo të ‘hanë’ kundërshtarët që u dalin përpara”, thotë Ranieri në prag të nisjes së Premier League.

Top Channel