Kosovë, të martën mësohet dita e seancës për Demarkacionin

08/08/2016 00:00

Javën që lamë pas, Qeveria e Kosovës mori vendim në mbledhjen e saj, që projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi të dërgohej në Kuvend.

“Telegrafi” ka mësuar nga burime brenda Kuvendit të Kosovës se, Demarkacioni do të jetë këtë javë në Parlament. Të njëjtat burime kanë thënë se, të martën pritet të caktohet data e mbajtjes së seancës.

“Nesër caktohet seanca për Demarkacionin me Malin e Zi. Projektligji i marrëveshjes ndërkombëtare është proceduar në afat të rregullt dhe po ashtu do të ndjekë të gjitha procedurat e rregullta parlamentare, para se të shkojë në seancë”, ka thënë burimi i “Telegrafit”.

Sipas burimit, ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit pritet të bëhet në seancë të rregullt plenare, e jo në seancë të jashtëzakonshme siç është folur më parë.

Pavarësisht këmbënguljes së pozitës që të bëhet ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, opozita vazhdon t’i qëndrojë prapa kauzës së tyre, se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

Javën që shkoi të gjithë ishin dëshmitarë të sulmit me antitank ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Sulmi me mjete shpërthyese mbi atë ndërtesë ndodhi pak kohë, pasi qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Top Channel