Pistorius, atleti paralimpik tenton të vetëvritet pas hekurave

07/08/2016 00:00

Burgu po zbulohet si barrë e rëndë fizike dhe psikologjike për kampionin paralimpik Oscar Pistorius, i dënuar për vrasjen e të dashurës së tij Reeva Stenkamp. Atleti, që ka të dy këmbët e amputuara dhe që shumëzoi me zero të gjitha arritjet sportive me një episod tragjik, ka tentuar vetëvrasjen në qelinë ku mbahet në Afrikën e Jugut.

Sipas mediave në kontinentin afrikan, Pistorius preu venat në burgun e Pretorias, e më pas u dërgua me urgjencë në spital, ku vetëm ndihma e mjekëve i shpëtoi jetën. Nuk dihen ende detajet e ngjarjes, që për pak sa nuk rezultoi tragjike për jetën e sportistit, por prokurorët kanë bërë të ditur se do të apelojnë dënimin, sipas tyre të butë.

Oscar Pistorius, i dënuar në korrik të këtij viti me 6 vite burgim, mund të lirohet me kusht pas 3 vitesh, edhe pse dënimi për vrasje në Afrikën e Jugut është minimumi 15 vite. Sportisti i njohur që garonte me proteza në këmbë vrau me armë zjarri të dashurën e tij modele, në orët e para të festës së Shën Valentinit të vitit 2013.

Pistorius tha gjatë seancave gjyqësore se, e kishte ngatërruar atë me grabitës, por faktet treguan se një grindje mes tyre ishte baza e ngjarjes tragjike.

Top Channel