Turpërohet Interi, Tottenham fiton 6-1

06/08/2016 00:00

Disfata e katërt në përgatitjet përpara startit të sezonit të ri, pas atyre me Cska Sofie, Paris Saint Germain dhe Bayern Munchen, Interi u turpërua edhe në miqësoren e parë të zhvilluar në Europë. Në Olso, zikaltërit u mposhtën 6-1 nga Tottenham.

Ever Banega debutoi në mënyrë të shkëlqyer, ndërsa në pritje të Candreva-s, zhgënjeu Biabiany. Miqësorja nisi menjëherë e vështirë për Interin, me Ansaldin që pas pesë minutave lojë ndërhyri në ndaj Ëalker dhe gjyqtari akordoi një penallti të diskutueshme. 11-metërshi u shndërrua në gol nga Kane, ndërsa pas apatisë së minutave të para, zikaltërit u kthyen në lojë, falë Banegas. Vertikalizimi i tij për Perisic në të 23-ën solli edhe golin e barazimit të përkohëshëm për italianët.

Por, nëse mesfusha dukej solide dhe sulmi realizoi manovra të pëlqyeshme, më pak garanci dha mbrojtja. Reparti difensiv nuk funksionoi si duhet, duke i dhuruar Tottenhamit golin e avantazhit 2-1 me Lamelan, pak përpara pushimit të ndeshjes. Por, problemi më i madh ishte se në fraksionin e dytë të lojës, Interi u shfaq sikur nuk kishte zbritur aspak në fushë. Megjithë 4 zëvendësime, Tottenham realizoi dy gola dhe goditi një shtyllë në harkun e 12 minutave, me protagonist Harry Kane.

Në të 52-ën sulmuesi finalizoi pas kombinimit me Alli, pak çaste më pas ishte i pafat me topin që përfundoi në shtyllë, ndërsa në minutën e 57-të realizoi me potencë, pas një kundërsulmi të shpejt të “Spurs”. Pas një ore lojë, Mancini nisi zëvendësimet dhe me largimet e Banegas, më të mirit në fushë, Brozovic, Perisic dhe Ansaldi-t, Interi humbi idetë dhe ekuilibrat, duke pësuar edhe dy gola të tjerë.

Në të 65-ën Janssen u përfshi në listën e golashënuesve, ndërsa në 77-ën ishte i riu Harrison, vetëm pak çaste pas aktivizimit nga stoli, ai që vulosi fitoren 6-1 të Tottenham. Ishte vetëm një miqësore, por me paraqitjen e bërë, Interi është në alarm.

Top Channel