Demarkacioni, analistët: Do të kalojë, njësoj si zgjedhja e Thaçit president

04/08/2016 00:00

Diskutimet në tryezën e organizuar për demarkacionin me Malin e Zi kanë zgjatur 12 orë, ndërkaq pozita dhe opozita nuk i kanë përafruar qëndrimet e tyre.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë të mbajtur këtë të enjte tha se duhet të procedohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit dhe se kauza e opozitës është e paqëndrueshme.

Zhvillimet e fundit, sipas analistit Nexhmedin Spahiu nuk do të na dërgojnë drejt një përshkallëzimi të situatës, ndërsa Imer Mushkolaj tha se kjo situatë është e ngjashme me zgjedhjen e Thaçit president.

Duke folur për “Telegrafin”, Spahiu tha se debati tregoi që Komisioni dhe Qeveria kanë punuar në mënyrë të papërgjegjshme. “Me këtë i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit”, vlerëson ai.

Ndërsa Mushkolaj tha se, nëse koalicioni qeveritar do t’i sigurojë votat do ta kalojë në Parlament edhe çështjen e ratifikimit të marrëveshje ssë demarkacionit.

“Mund të kemi përplasje, dhe protesta që do të organizohen në shesh. Mund të kemi edhe reagime nga ana e deputetëve të Vetëvendosjes brenda Kuvendit, por besoj se, nëse i siguron votat, koalicioni qeveritar gjithsesi do ta hedhë marrëveshjen në votim”, ka thënë Mushkolaj për “Telegrafin”.

Gjatë ditës së sotme u organizua gjithashtu edhe një protestë e Lëvizjes Vetëvendosje, me mbi 100 protestues, për të ndaluar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit, i cili mendohej se do të hynte në rend dite.

Opozita thotë se demarkacioni duhet të zhbëhet për të rinisur një tjetër proces, por partitë në pushtet dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kanë bërë thirrje për votimin e marrëveshjes, me të cilën do të hapej perspektiva e Kosovës. Ratifikimi i saj është edhe kushti i fundit nga Bashkimi Europian, para se ky i fundit të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë.

Top Channel