Nadal me sytë nga Olimpiada, edhe pse jo në formë

04/08/2016 00:00

Pavarësisht se po kalon një formë jo të mirë fizike dhe nuk do të jetë në lartësinë e duhur për një turne që mbledh elitën e sportit një herë në 4 vjet, Rafael Nadal mbetet i vendosur të jetë mes pikave kulmore në Rio de Zhaneiro.

Tenisti spanjoll ka vendosur të marrë pjesë në të tre turnetë e tenisit në Lojërat Olimpike braziliane, në disiplinën teke, në atë dyshe në krah të Mark Lopez, si dhe në miksen me Garbine Muguruza.

Në ditët e fundit sportisti nga Majorka është stërvitur me vijueshmëri dhe për herë të parë që prej muajit maj, pa një fashë ndihmëse në pulsin e majtë, i cili e kishte detyruar të tërhiqej nga turneu francez Roland Garros.
 
“Është e dukshme që nuk vij në momentin më të mirë në Olimpiadën e Rio de Zhaneiros dhe nëse nuk do të bëhej fjalë për një aktivitet të tillë, nuk do të rrezikoja. Por kam munguar në Uimbëlldon dhe do të bëj maksimumin”, tha 30-vjeçari iberik.
 
“Të them të drejtën nuk kam vërejtur përmirësime të mëdha, pasi kyçi i dorës më dhemb ende, por do të luaj”, tha Rafael Nadal. Zgjedhja e spanjollit është në një rrymë të kundërt me gjigantët e tjerë të tenisit, pasi 5 nga 10 lojtarët kryesorë kanë prefeuar të mos luajnë në turneun olimpik, me zvicerarin Wawrinka të fundit në radhë.

Top Channel