Bolivi, ndalohen kamionët me 7 ton kokainë

02/08/2016 00:00

Policia boliviane sekuestroi një sasi kolosale prej 7 tonësh kokainë, e cila ishte e destinuar për tregun e Shteteve të Bashkuara. Droga ishte fshehur brenda një ngarkese mineralesh që po transportohej me kamionë në një rrugë të largët malore që të çon në portet e Kilit.

Sipas policisë, tre persona u arrestuan dhe disa të tjerë janë në kërkim. Ngarkesa e kokainës ka një vlerë në rrugë prej 350 milionë dollarësh dhe ndalimi i saj u bë pas një hetimi 10-mujor. Kjo është ngarkesa e dytë e madhe e kokainës që ndalohet këtë vit në Bolivi, ku në janar, fshehur po në të njëjtën mënyrë, u gjetën 8 ton kokainë.

Bolivia është prodhuesi i tretë më i madh në botë i kokainës, pas Perusë dhe Kolumbisë. Autoritetet vendase gjithnjë reklamojnë me të madhe operacione të tilla, por ekspertët thonë se për çdo ngarkesë të tillë që kapet, të paktën një tjetër kalon pa u vënë re. Prodhimi i kokainës në zonat e izoluara të vendeve të Amerikës Latine i kushton shumë pak karteleve të drogës dhe pavarësisht vlerës së madhe që kjo ka në rrugë, për trafikantët nuk është ndonjë humbje e madhe dhe trafiku i tyre thuajse nuk ndikohet nga operacione të tilla sporadike policore.

Top Channel