Prej kohësh, shkencëtarët paralajmërojnë se duhen antibiotikë të rinj, pasi mikrobet po krijojnë rezistencë ndaj atyre aktualë, që në shumicën e rasteve janë përdorur pa asnjë kriter.

Duket se zgjidhja ka ardhur nga një burim shumë i pazakontë, pikërisht hunda e njeriut. Studiuesit e Universitetit “Tubingen” në Gjermani thonë se kanë zbuluar një klasë të re antibiotikësh, duke analizuar luftën bakteriologjike që zhvillohet në flegrat e hundës.

Studimet kanë rezultuar në një ilaç të ri, që njihet me emrin “Lugdunin” dhe që mund të ndalojë ato që njihen si supermikrobe. Sipas këtyre shkencëtarëve, trupi i njeriut është një burim i pashfrytëzuar ilaçesh të reja, ndërsa dihet se klasa e fundit e medikamenteve që po dalin jashtë loje është zbuluar në vitet 1980.

Thuasje të gjithë antibiotikët janë zbuluar në bakteret që gjenden në tokë, por Universiteti “Tubingen” e ka kthyer vëmendjen te trupi i njeriut. Nuk duket nga jashtë, por trupat janë fushëbetejash të vërteta në nivel mikroskopik mes baktereve rivale, që luftojnë për hapësirë dhe ushqim.

Dhe një prej armëve që bakteret përdorin kundër njëra-tjetrës janë antibiotikët. Shkencëtarët zbuluan se njerëzit që kishin në hundë bakterin e njohur si “Staphylococcus lugdunensis” kishin shumë më pak mundësi që të infektoheshin nga rivali i tij i dëmshëm “Sta.aureus” dhe nga supermikrobi i frikshëm “MSRA”.

Studiuesit gjermanë gjetën një gen të caktuar në bakterin “Lugdunensis”, nga ku vjen edhe emri i ilaçit “Lugdunin”, i cili vret rivalët dhe na ndihmon neve në këtë proces. Sigurisht që do të duhen vite studime në këtë drejtim, por shkencëtarët thonë se përdorimi i vet trupit të njeriut për të luftuar sëmundjet është e ardhmja e mjekësisë.

Top Channel