Chelsea përballë Liverpool në SHBA, Conte: Jam kurioz të shoh skuadrën time

27/07/2016 00:00

Los Angeles do të shijojë pak nga “Premier League”, teksa në “Rose Bowl” do të vihen përballë Chelsea dhe Liverpool, në një takim të vlefshëm për turneun “International Champions Cup”. Kjo është një ndeshje, ku edhe vet Conte është kurioz të shohë sesi do të paraqitet skuadra e tij.

“Kemi punuar shumë dhe duam të bëjmë një paraqitje të mirë ndaj Liverpoolit. Dua të shoh përmirësime te lojtarët e mi dhe kjo sfidë klundër një skuadrë të madhe si ‘The Reds’ është diçka shumë e mirë. Jam kurioz se çfarë do të bëjë skuadra në këtë përballje”, tha Conte.

Conte, i cili la përfaqëssuesen italiane në përfundim të “Euro 2016”, zëvendësoi në stolin e Chelseat holandezin Guus Hiddink. Ai theksoi se marrja e detyrës së re në prag të sezonit është diçka e vështirë dhe se në këtë pikë, Jurgen Klopp ka një avantazh të ndjeshëm.

“Nuk është e lehtë për mua, pasi do të më duhet të transmetoj idetë e mia te lojtarët për një kohë shumë të shkurtër. Mendoj se sezoni i kaluar kishte shumë vlerë për Klopp dhe lojtarët, pasi tani e njohin më mirë njëri-tjetrin”, vijoi më tej Conte.

Chelsea e mbylli sezonin e kaluar në vendin e 10 në “Premier League”. Drejtuesit e klubit londinez u detyruan që në mesin e sezonit të shkarkoni trajnerin Jose Murinho, duke e zëvendësuar atë me Hiddink. Më pas u arrit marrëveshja me Conten, që bëhet trajneri i pestë italian që ulet në stolin e “Bluve”, pas Viallit, Ranierit, Ancelottit dhe Di Mateos.

Top Channel