Terror në Gjermani, vriten 9 persona; autori një 18-vjeçar iranian

23/07/2016 00:00

Policia gjermane ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar të sulmit ku mbetën të vrarë 9 persona dhe më shumë se 10 të tjerë u plagosën në Mynih të Gjermanisë gjatë orëve të mbrëmjes së të premtes në një qendër tregtare.

Sipas policisë gjermane, autori është një 18-vjeçar iranian, i cili jetonte në Mynih, ndërsa motivet e ngjarjes ende janë të paqarta. Trupi i pajetë i autorit është gjetur rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Mediat raportojnë se ai ishte vetëvrarë me një plumb në kokë.

Një operacion i gjërë i policisë nisi menjëherë pas njoftimeve se sulmi në qendrën tregtare “Olympia-Einkaufszentrum” ishte kryer nga tre persona.

Të shtënat nisën rreth orës 18:00 të pasdites së të premtes në restorantin “McDonald” që ndodhet në qendrën tregtare. Një tjetër zëdhënës i policisë së Mynihut e ka përshkruar incidentin si “një sulm të mundshëm terrorist”, teksa fliste për një radio gjermane.

Pas sulmit, sistemi i transportit në kryeqytetin bavarez u pezullua, ndërsa stacioni qendror hekurudhor u evakuuar. Disa orë më vonë transporti publik u rihap sërish. Me mijëra persona mbetën të bllokuar pas gjendjes së emergjencës duke mos pasur mundësi të rikthehen në shtëpitë e tyre u është ofruar strehim nga banorët vendës.

Presidenti amerikan Barack Obama ka folur shkurtimisht për ngjarjen në Gjermani, e më pas ofroi ngushëllimet e tij për viktimat e mundshëm si dhe u angazhua për mbështetje ndaj Gjermanisë, në atë që ai e përshkroi si një prej aleatëve më të afërt të Amerikës.

FOTO GALERI
1/1
Personi i dyshuar si autor i ngjarjes

Top Channel