Bruksel, me pallto në 30 gradë celsius; i riu vë në alarm policinë

20/07/2016 00:00

Policia në Bruksel rrethoi një person me sjellje të çuditshme që mbante veshur një pallto nga e cila dilnin disa tela, në një kohë kur termometri sot në kryeqendrën e Belgjikës shënonte 30 gradë Celsius.

Operacioni policor u zhvillua në Place de la Monnaie, në qendër të qytetit. Ekipet e çaktivizimit të bombave u thirrën me urgjencë në vendngjarje, ndërsa dyqanet në zonën përreth u evakuuan dhe rrugët u mbyllën.

Por në fund e gjitha rezultoi një alarm i rremë. I dyshuari ishte një student i fizikës bërthamore në Universitetin e Brukselit.

Burime policore thanë më herët për mediat se kishin marrë një telefonatë për një person që lëvizte i veshur me një pallto të rëndë dimri dhe me temperaturat që janë jashtë – thanë ata – kjo ishte shumë e dyshimtë.

“Nuk deshëm të rrezikonim, ndaj personin e ndaluam në një distancë të sigurtë”, deklaruan burimet.

Belgjika është në gjendje alarmi tani përpara festës së saj kombëtare, pasi autoritetet i druhen një sulmi të ngjashëm me atë të javës së kaluar në Nisë të Francës, të ndodhur në Ditën e Bastijës.

Top Channel