Zhbogar: Demarkacioni dhe Asociacioni, bllokadë në jetën politike

19/07/2016 00:00

Kriza dhe paralizimi i jetës politike në vend konsiderohet të jetë ndër problemet madhore, të cilat do të trajtojë raporti i ri i progresit për Kosovën.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Kosovën, Samuel Zhbogar, në një intervistë për “KTV” ka thënë se dy marrëveshjet, ajo e demarkacionit dhe asociacionit, kanë paralizuar jetën politike në vend, çështje që do të zënë vend kryesor në raportin e progresit.

Ai ka thënë se brenda raportit do të përmenden edhe emërimet në ndërmarrjet e institucionet publike dhe politizimi i tyre, gjë që rrjedhimisht pengojnë funksionalitetin e institucioneve.

“Do të jemi më të zëshëm tani rreth emërimeve të larta, që njerëzit po marrin në këto borde. Për standardet e Kosovës do të thosha që është vërtet numër i lartë dhe i papranueshëm, duke nisur nga bordi i AKP-së e deri tek institucionet e tjera”, ka thënë Zhbogar.

Progresi që është bërë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit do të përshëndetet nga ky raport, ndonëse sipas Zhbogar mbetet shumë për t’u bërë.

“Ministri Agani dha dorëheqje pasi u akuzua, gjë që mendoj se duhet të njihet si normë pozitive. Pra ka gjëra pozitive, edhe pse në të njëjtën kohë kemi një kryetar, i cili jo vetëm që është i akuzuar, por edhe i dënuar, dhe ende është në pozitën e tij”, ka thënë ai.

Zhbogar ka theksuar se vazhdimisht është bërë thirrje që këta persona, të cilët janë të akuzuar, duhet të japin dorëheqje, apo një gjë e tillë të kërkohet nga subjekti i tyre politik.

Top Channel