Terrori në Nisë, 50 të plagosur janë në gjendje kritike. Rrezikohet bilanci prej 84 viktimash

15/07/2016 00:00

Pas 7 janarit dhe 13 nëntorit Franca po vuan tragjedinë e radhës: atë të 14 korrikut. Por çfarë ishte ai që gjunjëzoi vendin në fund të kremtimit të festës së Bastijes? Një sulm i koordinuar, akt terrorist, apo akt që erdhi si pasojë e çrregullimeve mendore të Mohamed Bouhlel?

Shtetasi tunizian 31-vjeçar u identifikua nga autoritetet si shoferi i kamionit të mbushur me armë dhe lëndë eksplozive, që në fund gjeti vdekjen pas ekzekutimit nga policia. Hetimet e deritanishme tregojnë se ai nuk kishte lidhje me celula terroriste, por mënyra e organizimit të sulmit në bulevardin e Nisës lë vend të madh për dyshime.

Babai i 3 fëmijëve, ai jetonte në veri të qytetit ku kreu sulmin, pasi ishte divorcuar me bashkëshorten. Mohamed ishte gjithashtu një emër i njohur për policinë, pasi ishte dënuar për krime të vogla dhe dhunë.

Të paktën 84 persona gjetën vdekjen, ndërsa 50 nga rreth 200 të plagosur po luftojnë për të mbijetuar në spitalin e qytetit dhe janë nën kujdesin intensiv të mjekëve, pasi Mohamed Bouhlel eci afërsisht dy kilometra me kamion pa ndaluar, duke përplasur njerëzit që kishin mbushur zonën “Promenade des Anglais”.

Duke u munduar t’i japë shpjegim situatës së rëndë, Presidenti Francois Hollande e cilësoi si një “akt të përbindshëm terrorist”, dhe e zgjati gjendjen e emergjencës edhe për 3 muaj të tjerë. Shefi i Elizesë tha se beteja kundër terrorizmit do të jetë e gjatë.

Ende nuk është e qartë se dora e kujt fshihet pas atentatit të Nisës, por grupe terroristemë herët kanë deklaruar se sulmet e ardhshme do të kryheshin me automjete. Në situatën e panikut që ka përfshirë vendin, trupat ushtarake mbërriten me urgjencë në Aeroportin e Nisës duke e evakuuar plotësisht atë pas gjetjes së një pakoje të dyshimtë.

Siguria në vend është në shkallën më të lartë. Solidaritet me ngjarjen e rëndë tregoi e gjithë bota. Belgjika ishte ndër të parat që reagoi. Presidenti Barack Obama përcolli ngushëllimet e tij. John Kerry, e më pas Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila tha se dhimbja është e papërshkrueshme, ndërsa në fund edhe Vladimir Putin, i cili e cilësoi si një akt të neveritshëm terrorist.

Top Channel