Kujtesa e Luftës së Dytë Botërore, Xhaçka: Të nxjerrim në pah kontributin tonë

12/07/2016 00:00

Shqipëria do të ketë së shpejti Institutin e Kujtesës së Luftës së Dytë Botërore, një nismë e 30 deputetëve socialistë për t’i bërë apel kujtesës kombëtare për kontributin, që vendi ynë ka dhënë përgjatë asaj periudhe.

Një nga nismëtaret e këtij projektligji, i cili është dërguar tashmë në Parlament, deputetja Olta Xhaçka, në një intervistë për Top Channel zbulon detajet e propozimit dhe mënyrën sesi do të përzgjidhen anëtarët e tij.

“Kemi sjellë një projektligj për të ngritur një institut buxhetor, i pavarur dhe person juridik. Bordi që do të drejtojë edhe punën e institutit, do të përbëhet nga njerëz që do të vijnë si propozime të Institutit të Historisë, të Akademisë së Shkencave, të shoqatave të LANÇ-it. Është një përpjekje për ta dokumentuar, analizuar dhe studiuar periudhën e Luftës së Dytë Botërore”, tha Olta Xhaçka, deputete e PS-së.

Por, si do të veprojë ky institut?

“Anëtarët do të bëjnë gjithçka. Do të dalin në terren, do të mbledhin të dhëna të reja, do të hulumtojnë edhe medien e huaj, edhe literaturën e huaj në bashkëpunim me studiues të huaj të kësaj lufte. Padiskutim që do të hulumtojnë kujtimet dhe arkivat e atyre që kanë qënë të përfshirë në luftë, si dhe çfarëdolloj informacioni që do të kemi, padiskutim që do të pasqyrohet nga instituti përmes një pune shumë profesionale”, tha më tej deputetja socialiste Olta Xhaçka.

Përmes këtij projektligji që do të diskutohet edhe në Kuvend, deputetët socialistë synojnë që të evidentojnë në mënyrë shkencore dhe institucionale kontributin e Shqipërisë, në një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë.

Top Channel