Paris, finalja e “Euro 2016” nën masa të rrepta sigurie. Mbi 6.000 policë

10/07/2016 00:00

Parisi po bëhet gati për finalen e kampionatit europian të futbollit, që do të zhvillohet mes Portugalisë dhe Francës.

Stadiumi “St. Denis” do të jetë arena e betejës së fundit futbollistike të kësaj ngjarjeje, ku “blutë” do të zbresin në fushën e lojës me shpresën dhe mbështetjen e një kombi të tërë mbi shpatullat e tyre. Zona e tifozëve në Paris, që ndodhet pikërisht nën Kullën “Eiffel” është gati të presë me mijëra persona, që do të udhëtojnë drejt kryeqytetit francez për të ndjekur këtë ndeshje.

Ndërkaq, qeveria franceze ka marrë masat e nevojshme të sigurisë për këtë ndeshje të fundit të “Euro 2016”. Sipas autoriteteve më të larta të policisë në Francë, në total do të jenë 6.800 forca të policisë dhe xhandarmërisë, që do të angazhohen për të ruajtur rendin në Paris, të cilët do të vendosen në stadium, në zonat e tifozëve, si dhe në “Champs-Élysées”.

Kësaj shifre do t’u shtohen 3.400 agjentë që do të vendosen në “Champs-Élysées”, ku parashikohet të festojnë titullin tifozët francezë apo portugezë në përfundim të takimit. Në të njëjtën kohë, 700 forca të tjera sigurie do të kujdesen që të mos ndodhin incidente në transportin publik.

Top Channel