Sulmi në Dallas, kush ishin policët e vrarë

09/07/2016 09:45

Autoritetet amerikane bënë publike emrat e 5 ofircerëve të policisë që ranë në detyrë, të vrarë nga plumbat e rezervistit të ushtrisë Micah Johnson. Ndërsa me mijëra njerëz kanë bërë homazhe për viktimat, mediat shkruajnë se ata ishin një përzierje veteranësh, prindërish, gjyshërish, bashkëshortësh dhe lideresh të komunitetit.

Brent Thompson, 43-vjeçar, ishte viktima e parë e vrasësit. Thompson, i martuar së fundmi, shërbente në Policinë e Dallasit që prej vitit 2009, ndërsa më parë kishte shërbyer në ushtri si marins. Mësohet se ai gjithashtu kishte trajnuar policinë në Irak dhe Afganistan, ndërsa shërbente atje.

Patric Zamarripa, një veteran i marinës dhe baba i dy fëmijëve humbi jetën gjithashtu nga plumbat e Johnson. 32-vjeçari Zamarripa kishte shërbyer më herët në Irak, para se t’i bashkohej forcave të rendit.

Viktima e tretë, 40-vjeçari Michael Krol punonte për Policinë e Dallasit prej vitit 2007, ndërsa më herët kishte shërbyer për Policinë e Miçiganit.

55-vjeçari Michael Smith, një rreshter veteran i Policisë së Dallasit dhe baba i dy fëmijëve, humbi gjithashtu jetën. Smith kishte shërbyer në rini me rejnxhërsat e ushtrisë dhe punonte në Policinë e Dallasit prej thuajse tre dekadash.

Viktima e pestë dhe e fundit ishte kaporali veteran Lorne Ahrens, me Policinë e Dallasit prej 14 vjetësh. 48-vjeçari, baba i dy fëmijëve, ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra.

Top Channel