Mustafa: SHBA, ndihmë në arsim, shkencë dhe ekonomi

08/07/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për zhvillimin e programit “Fullbright”.

Në një njoftim për media thuhet se Mustafa e ka quajtur një ditë të rëndësishme nënshkrimin e memorandumit që mundëson shkollimin e studentëve dhe të rinjve në programin Fullbright, si një program tepër i rëndësishëm i cili ka dhënë rezultate në përgatitjen e kuadrove të Kosovës për shkencë, arsim dhe ekonomi.

“Ne në Qeveri keni dhënë zotimin tonë se ne do të përkrahim edhe për këtë vit edhe për vitet e ardhshme këtë program i cili do t’iu mundësoj shumë të rinjve tanë që të studiojnë në nivele të ndryshme të studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që këto kuadro pastaj t’i kontribuojnë zhvillimit të institucioneve tona. Ne e kemi parë të arsyeshme që edhe pjesëmarrja e ministrive tona në financimin e këtij programi, përmes Qeverisë të jetë e tillë që ne të shpërndajmë edhe nevojat tona tek Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në mënyrë që karshi nevojave që ne i kemi për kuadro të kemi një ndërlidhje më të fortë të ministrive përkatëse me njerëzit tanë që shkollohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë program”, tha Mustafa.

Mustafa ka theksuar se kjo është një mundësi e veçantë që i ofrohet Kosovës dhe një pjesëmarrje e veçantë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në financimin e njerëzve të Kosovës që të shkojnë atje  për studime.

Top Channel