Guyana, Hoxhaj kërkon njohjen e pavarësisë nga 5 vende të CARICOM-it

07/07/2016 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës në Guyana ka vazhduar lobimin për t’i sjellë njohje të reja Kosovës. Sipas një njoftimi të MPJ-së, Hoxhaj ka kërkuar nga përfaqësuesit e 5 vendeve jonjohëse, anëtare të CARICOM-it, që ta pranojnë Pavarësinë e Kosovës.

Në takimet e ndara që ministri Hoxhaj ka zhvilluar me presidentin e Surinamit, Dési Bouterse; me kryeministrin e St Vincent dhe Grenadinës, Ralph Gonsalves; me kryeministrin e Xhamajkës, Andrew Holness; me ministren e Punëve të Jashtme të Barbadosit, Maxime McClean; si dhe me homologun e Bahamasit, Frederick Mitchel; ministri ka theksuar se njohja e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte në realizimin e projekteve të përbashkëta.

“Njohja e Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me këto shtete do të hapte një kapitull të ri bashkëpunimi, teksa vendet tona do të mund të koordinoheshin dhe të promovonin tema të interesit të përbashkët në të gjitha fushat e jetës”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar se pavarësia e Kosovës tashmë është një fakt gjeopolitik dhe njohja diplomatike e saj është e pandalshme dhe me një gjeografi globale.

“Kosova është zgjeruar në rrjetin e bashkëpunimit dypalësh, meqë në një botë të ndërvarur, shtetet e vogla duhet ta mbështesin njëra-tjetrën. Ndaj dhe njohja që do t’i bëhej Kosovës do të ishte mbështetje më e madhe në të drejtën e saj për shtetësi”.

Ministri Hoxhaj, vizitën në Guyana po e zhvillon në kuadër të angazhimit për të shtuar njohjet e Republikës së Kosovës shtet të pavarur nga vendet e tjera të botës.

Top Channel