Liberalizimi i vizave, pengohet edhe nga krimi e korrupsioni. Jo vetëm demarkacioni

07/07/2016 00:00

Liberalizimin e vizave po e pengojnë dhe çështje të tjera, si krimi i organizuar, korrupsioni dhe migrimi legal, e jo vetëm mosmiratimi i Demarkacionit. Kështu kanë deklaruar disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, sipas të cilëve duhet që çështja e demarkacionit të shqyrtohet para se të sillet në Kuvend, pasi sjellja për miratim do të kundërshtohet fuqishëm dhe do të jetë një provokim i radhës.

Vjosa Osmani, deputete nga LDK-ja, thotë se po flitet që kjo marrëveshje mund të vijë në Kuvend shumë shpejt, por deputetët duhet të jenë të kujdesshëm për votën e tyre. Madje ajo thotë se është e padrejtë që kjo marrëveshje, e cila prej kohësh është mbajtur e fshehtë nga Qeveria, të vijë në Kuvend vetëm pak ditë para ratifikimit.

E fajin për një zvarritje të tillë, Osmani e vë te Qeveria e Kosovës, e cila sipas saj ka një vit që e mban Kuvendin në terr informativ, ndërsa thotë se kanë pasur informacione edhe më herët nga deputetët e Parlamentit Europian, se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën po shtyhet për shkak se nuk ka vullnet nga disa shtete anëtare, për t’i thënë “po” liberalizimit të vizave, për shkak të frikës nga migrimi ilegal.

Ndërsa Nait Hasani, deputet nga PDK-ja, beson që deputetët do të jenë të përgjegjshëm dhe nuk do ta votojnë ratifikimin e demarkacionit. Sa i përket thirrjes së BE-së për ratifikim të demarkacionit, ai thotë se ky nuk është territor i BE-së dhe se ky territor për të cilin është luftuar duhet të mbrohet.

Ndërkohë, Donika Kadaj-Bujupi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se Qeveria nuk duhet të provokojë duke sjellë në Kuvend për ratifikim demarkacionin, pa e rishqyrtuar. Sipas saj, në rast se kjo imponohet me forcë, veçse do të prodhojë probleme të reja, do të shkaktojë trazira dhe asnjëherë nuk do të jetë e pranueshme për qytetarët e Kosovës dhe deputetët.

Kadaj-Bujupi shprehet e bindur se, edhe po të kalonte demarkacioni, liberalizimi nuk do të ndodhte pa u luftuar korrupsioni i nivelit të lartë.

Top Channel