Kosovë, Dodë Gjergji: Nuk jemi imunë ndaj terroristëve

03/07/2016 00:00

Ngjarjet e Parisit, Brukselit, Stambollit e Bangladeshit shpejt mund të vijnë në Prishtinë, Shkup ose në Tiranë, sepse kjo frymë e urrejtjes ka depërtuar edhe te disa prej njerëzve tanë, prandaj institucionet tona fetare, kulturore, politike dhe shtetërore duhet të mos bëjnë “sehir”, duke menduar që jemi imunë nga kjo e keqe.

Kështu ka thënë Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, në meshën kushtuar viktimave në Stamboll e Bangladesh. Dhjetëra qytetarë kishin dalë për t’u lutur që Krishti t’i shpërblejë shpirtrat e të vdekurve.

Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji, në fjalimin e mbajtur tha se ndjenja e dashurisë dhe dhembjes shkon për popujt tonë, por edhe për të gjithë popujt e tjerë të prekur nga kjo e keqe që sjell terrori dhe dhuna e pakuptimtë.

Ipeshkvi Gjergji theksoi se duhet të lutemi që bashkësitë fetare të shoqërisë dhe shteteve të mbarë botës të gjejnë burimin e dashurisë dhe forcën e urtësisë për të shëruar këtë të keqe të madhe dhe për të shëruar zemrat e njerëzve të kapluar prej saj, e keqe kjo që përbuz dhe poshtëron të gjithë.

Ai më tej bën thirrje ndaj të gjitha institucioneve shtetërore, që të mendojnë se shumë shpejt ky sulm mund të mbërrrijë edhe në Prishtinë, Shkup apo në Tiranë, sepse – sipas tij, – “ne nuk jemi imunë nga kjo e keqe”.

Mesha vazhdoi me lutjet e shumë qytetarëve për viktimat e shkaktuara nga tragjedi si ato në Paris, Stamboll, Bangladesh e Bruksel.

Top Channel