Paloka fton PBDNJ: Momenti i sprovës, të mbrojmë vendin nga kapja e drejtësisë

02/07/2016 00:00

Gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, u shpreh se ky është një moment sprovë për vendin, për popullin për çdo qytetar të angazhuar, për çdo intelektual në vend, dhe sidomos për çdo parti politike.

“Çdo qytetar sot është nën dhunë sistematike për shkak se taksat e tyre merren me forcë deri ne qindarkën e fundit, dhe pikërisht këto para, te mundit e te gjakut, nuk kthehen asnjë ditë në shërbime apo të mira për ta, por vidhen nga Edi Rama, ministrat e oligarkët e tij. Unë e përgëzoj qëndrimin që ka mbajtur PBDNJ në këtë situatë, në parlament përmes z.Dule dhe në qëndrimet publike. Kritike parimore dhe me argumente. Por të dashur miq, rreziku që mund të sjellë qeveria, Edi Rama, është edhe më i madh.

Ai kërkon të kapë totalisht edhe drejtësinë, çka do te thotë se dhuna, arbitrariteti, korrupsioni e lidhja me krimin pas kësaj nuk do të njihnin me asnjë kufi. Ky është një moment sprovë për vendin, për popullin për çdo qytetar të angazhuar, për çdo intelektual në vend, dhe sidomos për çdo parti politike. Ta mbrojmë vendin nga rrëshqitja në ditët më të errëta, të kapjes totale nga Rama të drejtësisë, dhe të sigurojmë me çdo kusht votën e lirë e te ndershme për zgjedhjet që po vijnë, këto janë dy shinat që do te sjellin shpëtimin, daljen nga kriza e shumëfishtë.”, u shpreh Paloka.

Nënkryetari i Partisë Demokratike shtoi se vendi dhe qytetarët janë si asnjëherë tjetër të rrezikuar e të kanosur në dinjitetin e tyre, në themelet e ekzistencës, në parimet dhe vlerat themelore të demokracisë, nga një agresion i pashembullt i qeverisë, me paligjshmërinë, arbitraritetin e arrogancën e saj.

“Mijëra qytetare kanë humbur pronat pa paralajmërim dhe në kundërshtim me procedurën e rregullt ligjore. Mijëra bashkëqytetarë janë rrasur në qeli e burgje për fajin e vetëm, varfërinë e tyre, pamundësinë për të paguar dritat, apo nevojat bazike të një familjeje. Mijëra qytetarë dhunohen çdo ditë nga korrupsioni qeveritar, nga sundimi i banditeve e të fortëve të lidhur me qeverinë”, tha Paloka.

Top Channel