Dëme nga breshëri në Korçë, dëmtohen të mbjellat e 1500 fermerëve

29/06/2016 00:00

Qindra hektarë të kultivuara me grurë, misër, patate, fasule  e perime të tjera në fshatrat e njësisë administrative Pojan, brenda pak minutash janë shkatërruar plotësisht. Vetëm në fshatin Pojan 400 hektarë janë dëmtuar plotësisht.

“Nuk ka mbetur asnjë kalli gruri, i gjithi ka rënë në tokë. Kemi shpenzuar shumë para, të cilat i kemi marrë edhe me kredi, ndërsa tani nuk kemi asnjë të ardhur fare, si në grurë, qepë e patate, të gjitha janë shkatërruar”, shprehen banorët.

Përfaqësues të njësisë administrative Pojan pohojnë se pas inspektimeve në terren është verifikuar dëmi dhe janë duke u përgatitur raportet përkatëse.

“Dëmi i konstatuar nga ana e njësisë administrative, varjon nga 300 deri në 400 hektarë tokë. Për këtë kemi vënë në dijeni drejtorinë e policisë. Na kanë thënë se do të ngrihen komisione të posaçme për të bërë evidentimin e dëmeve që të bëhet e mundur të ndihmojmë fermerët e kësaj njësie administrative”, shprehet Eridjon Rustemi, administrator i njësisë administrative Pojan.

Vit pas viti për shkak të mungesës së tregut këta fermerë kanë pësuar humbje, ky vit e ka rënduar edhe më tepër situatën për shkak se ata janë dëmtuar tre herë radhazi brenda vitit çka u ka prerë edhe shpresat për rimbjellen e kulturave të tjera, pasi tashmë ka nisur sezoni i vjeljes së tyre.

Top Channel