“Brexit”, britanikët kërkojnë pasaporta të vendeve të BE

27/06/2016 00:00

Shtetasit britanike kanë nisur të kërkojnë pasaportë tjetër nga vendet e Bashkimit Europian, pas realizimit të skenarit “Brexit”.

Një investigim i “The Guardian” tregon se deri tani më shumë se 1.500 njerëz po konsiderojnë mundësinë e shtetësisë së dyfishtë.

Ky fakt pason lajmin se pyetja më e klikuar në Google ditët e fundit ka qenë: Si të pajisesh me pasaportë irlandeze? Ministria e Jashtme e Irlandës tha se është vënë re një rritje e ndjeshme e aplikimeve nga Britania.

Declan McAlister, një 24-vjeçar nga Leicester, tha se ka aplikuar një tjetër pasaportë për të qenë i sigurt. Unë dua të lëviz lirshëm nëpër Europë, pavarësisht se çfarë ndodh. “Brexit” ka ngritur dilema të mëdha kryesisht në mesin e të rinjve britanikë, të cilët i druhen të ardhmes.

Pjesa më e madhe e votave për t’u larguar nga unioni ka ardhur nga mosha e dytë dhe e tretë. “Çfarë fsheh e ardhmja për brezin e ri?”, shkruan një komentues te prestigjiozja “The Guardian”.

Ndërsa një tjetër sondazh i publikuar nga “Independent”, tregon se më shumë se 1,1 milionë njerëz janë penduar për votën e tyre të shkëputjes nga Blloku europian. Nga 17.4 milionë njerëz që votuan “pro” largimit  1,1 milionë prej tyre tani thonë se nëse do te ktheheshin mbrapa, atëherë vota e tyre do të shkonte në kutinë: “Qëndro në BE”.

Top Channel