“Brexit”, Spanja përfiton nga situata: Bashkëqeverisje të Gjibraltarit

24/06/2016 00:00

Spanja do të tentojë të kërkojë qeverisjen e përbashkët të Gjibraltarit me Britaninë, pas referendumit historik që sheh britanikët të largohen nga Bashkimi Europian, bën të ditur ministri i Jashtëm në detyre, Jose Manuel Garcia-Margallo. Sipas tij, referendumi ndryshoi tërësisht perspektivën mbi të ardhmen e gadishullit.

Gjibraltari ndodhet në brigjet jugore të Spanjës, por konsiderohet territor britanik që prej vitit 1714, ndërsa njihet për 30 mijë rezidentët e vet si “shkëmbi”, por mbi të gjitha është një pikë kyçe tregtare dhe një prej ngërçeve më të mëdha në marrëdhëniet anglo-spanjolle. Edhe Spanja nga ana e saj pretendon prej kohësh sovranitetin e kësaj enklave.

“Kemi një ndryshim tërësor të pikëpamjes, gjë që hap mundësi të reja për Gjibraltarin që nuk janë konsideruar prej një kohe të gjatë. Shpresoj që formula e bashkëkontrollit është më pranë se kurdo më parë”, tha Garcia-Margallo.

Gjibraltari votoi në shumicë dërrmuese që Britania të qëndronte në Bashkimin Europian, aty ku u shënua edhe një pjesëmarrje tepër e madhe e votuesve. Një zëdhënës i qeverisë së gadishullit refuzoi të jepte ndonjë koment mbi referendumin, duke iu referuar deklaratave të mëparshme se bashkësovraniteti është refuzuar me 99 për qind të votuesve në referendumin e vitit 2002.

Top Channel