Vrau për urën e fshatit, prokuroria çon për gjykim autorin

23/06/2016 00:00

Prokuroria e Kurbinit ka dërguar për gjykim shtetasin Tom Lala, i akuzuar për vrasjen më 2 prill të këtij viti të shtetasit Mark Ndreca.

Pas një konflikti verbal, Lala e qëlloi ndrecën me një armë gjahu, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ndaj tij rëndon akuza e “vrasjes me dashje”.

Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se mes familjeve Lala dhe Ndreca kishte pasur debate të vazhdueshme për çështje pronësie dhe rasti i fundit kishte qenë dy ditë para vrasjes mes viktimës dhe bashkëshortes së autorit.

Në fokus të debatit ishte mbajtësja e një ure në fshatin Gallatë. Familja Lala pretendonte se e kishte sistemuar objektin me të ardhurat e saj dhe e konsideronte pronë të sajën.

Ndërsa familja Ndreca thoshte se ura ishte ristrukturuar nga komuna e Milotit, ndaj nuk mund të përdorej si pronë private nga Lalajt.

Top Channel