“Brexit”, nesër votimi, Juncker: Kush zgjedh jashtë mbetet jashtë

22/06/2016 00:00

Nesër mbahet referendumi për “Brexit” dhe presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker u ka dhënë mesazhin e tij britanikëve.

“Kush voton jashtë është jashtë. U them votuesve britanikë se nuk do të ketë asnjë negociatë tjetër veç asaj që u mbyll në shkurt, kur kryeministri David Cameron mori maksimumin e asaj që mund të merrte dhe ne i dhamë maksimumin që mund t’i jepej”, ka thënë Juncker.

Juncker ka theksuar se, që nga fillimi i fushatës elektorale për referendumin ka mbrojtur këndvështrimin se është e nevojshme një marrëveshje e drejtë dhe e barabartë me Britaninë e Madhe.

“Dhe është pikërisht ajo që kemi bërë në samitin e shkurtit. KE nuk luan asnjë rol në votimin e nesërm, por është diçka pozitive nëse Britania qëndron në BE. Gjithësesi, le të presim rezultatin”, ka thënë Juncker.

Ndërkohë, kreu i euroskeptikëve, Nigel Farage ka bërë apelin e tij final në prag të referendumit, duke u shprehur se nesër do të jetë “dita e pavarësisë” për britanikët.

Në një fjalim të mbajtur në qendër të Londrës, Farage e ka cilësuar Bashkimin Europian “kartelin e bizneseve të mëdha”, që i pret krahët ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar.

“Procesi shkrirjes së Unionit është i pashmangshëm. Edhe nëse ne zgjedhim të qëndrojmë do të jenë Danimarka ose Holanda që do të votojnë për të dalë”, ka shtuar Farage.

Top Channel