Kukeli s’e harron humbjen ndaj Francës: Ajo pikë më mbeti peng

20/06/2016 00:00

Burim Kukeli ka një peng nga tre ndeshjet e para në Europian. Mesfushori mendon se duhej të kishim të paktën katër pikë, sepse nuk duhej të humbsnim me Francën.

“Mendoj se e kemi merituar që të marrim një pikë në dy ndeshjet e para, ose ndaj Zvicrës, ose ndaj Francës. Në cilën e kemi merituar më shumë? Mendoj se ndaj Francës, ajo më ka ngelur peng sepse pësuam në minutën e fundit”, u shpreh ai.

Gjakovari nuk luajti në sfidën ndaj Rumanisë për shkak të pezullimit nga kartonët, por tha se ishte shumë i lumtur me fitoren, pasi me paraqitjet që ka bërë skuadra ishte e merituar.

“Do të doja shumë që të luaja, por jam i lumtur që morëm tre pikë. Ky sukses është shumë i rëndësishëm për skuadrën, Federatën dhe tifozët”, u shpreh ai.

Festa e golit pranë stolit, sipas Kukelit, dëshmon edhe njëherë unitetin e grupit dhe tregon sekretin e suksesit për skuadrëm.

“Festa e golit, kur të gjithë jemi bashkë tek stoli, është një tjetër dëshmi se jemi një skuadër. Ne festojmë bashkë, fryma e grupit është shumë e mirë, është ajo që na solli këtu”, tha ai.

Top Channel