Irlanda, për të thyer tabunë 22-vjeçare ndaj Italisë

20/06/2016 00:00

Për të qëndruar më tej në Europian, Irlanda duhet të bëjë diçka që nuk e ka bërë në më shumë se dy dekada, apo më saktë në 22 vite: të mposhtin Italinë në një ndeshje zyrtare për një kompeticion madhor. Çdo lloj rezultati tjetër në sfidën e fundit për grupin E në “Stade Pierre Mauroy”, do t’i dërgonte irlandezët në shtëpi. Por, edhe fitorja nuk do t’u garantonte kualifikimin, duke parë golavarazhin negativ pas barazimit 1-1 me Suedinë dhe humbjes 3-0 me Belgjikën.

Ndërkohë për Italinë nuk ekziston asnjë shqetësim, pasi Antonio Conte i ka udhëhequr “axurrët” drejt dy fitoreve radhazi për të siguruar vendin e parë në grup. Belgjika mund ta mbyllë grupin me 6 pikë gjithashtu, nëse mposhtin Suedinë, por për shkak të rregullores së UEFA-s, Italia sërish do të konsiderohej e para, pasi i ka mposhtur 2-0 belgët javën e kaluar.

Në raundin tjetër, Italia pritet të përballet me vendin e dytë të grupit D, me shumë mundësi Kroacinë apo Republikën Çeke në “Saint Denis” të hënën e ardhshme.

Edhe pse merr pjesë për herë të tretë në një kampionat europian, pas 1988-s dhe 2012-s, Irlanda kurrë nuk e ka kaluar fazën e grupeve. 4 vite më parë, Irlanda u përball me Italinë në ndeshjen e fundit në grup, por duke qenë se kishte 0 pikë në dy ndeshjet e tjera, ajo s’kishte asnjë mundësi për t’u kualifikuar. Italia fitoi 2-0 dhe më pas shkoi deri në finalet e Europianit 2012.

“Duhet të fitojmë ndaj Italisë”, tha trajneri i Irlandës, Martin O’Neill, pas humbjes me Belgjikën. “Mendojmë se nëse do të rikuperojmë mjaftueshëm energji, do të jemi të gatshëm për t’u përballur me ta”.

Fitorja e fundit e Irlandës ndaj Italisë në një kompeticion madhor ka qenë në vitin 1994 gjatë Botërorit, kur shënonte në atë kohë Ray Houghton dhe ndeshja përfundonte 1-0. Megjithatë, Irlanda befasoi shumëkënd kur i mori 4 pikë Gjermanisë në kualifikueset e këtij Europiani, ndërsa tashmë i duhet të provojë sërish se mund të përballet me “të mëdhenjtë” e Europës.

Top Channel