Iordanescu: Sekreti i Shqipërisë? Tifozët

19/06/2016 00:00

Trajneri i Rumanisë, Anghel Iordanescu, deklaroi pas sfidës se tifozët shqiptarë ia dhanë energji kombëtares dhe e ndihmuan atë të realizojë golin. Ai ka shprehur keqardhje për humbjen që mund ta paguajë me vendin e tij të punës.

“Një humbje është një humbje dhe na vjen keq që ndodhi. Ne kishim shumë mundësi për të shënuar. E nisëm ndeshjen shumë mirë dhe e kontrolluam ndeshjen. Për shkak të një gabimi në mbrojtje, ne pësuam golin. Në pjesën e dytë, ne u munduam të imponojmë lojën tonë dhe të qarkullojmë më shumë topin. Mendoj se tifozët shqiptarë i dhanë energji skuadrës së Shqipërisë dhe e ndihmuan atë të shënonte”, u shpreh trajneri rumun.

I pyetur nëse Rumania meritonte kualifikimin, Iordanescu, nuk ka dhënë një përgjigje të prerë, duke thënë se kur nuk fiton nuk e meriton as kualifikimin.

“Bëmë një ndeshje shumë të mirë kundër Francës dhe kishim shumë mundësi shënimi ndaj Zvicrës. Sot është një humbje që dhemb për kombëtaren tonë. A e merituam kualifikimin? Po dhe jo. Nëse ju nuk merrni një fitore, nuk e meritoni kualifikimin”, u shpreh ai.

Top Channel