Spanja në fushë: Del Bosque: Nuk i besoj Turqisë

17/06/2016 00:00

Spanjë-Turqi do të jetë ndeshja e mbrëmjes së sotme në Euro 2016. Kampionët e Europës vijnë në këtë përballje pas fitores 1-0 me Çekinë, ndërsa Turqia humbi ndaj Kroacisë në sfidën e parë të Grupit D.

Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri i Turqisë, Fatih Terim u shpreh se do të ishte i kënaqur edhe me barazimin në këtë ndeshje me kampionët e Europës.

“Objektivi primar i një skuadre që merr pjesë në një turne si Euro 2016 është që të qëndrojë sa më gjatë në të”, tha Terim. “Nëse ne do të marrim 1 pikë me Spanjën, do të luajmë shanset tona në ndeshjen e fundit. Për  ne barazimi do të ishte diçka shumë pozitive”.

Por, trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque nuk i beson shumë deklaratës së Terim dhe shtoi se në të vërtetë Turqia do të luajë për fitoren dhe jo barazimin.

“Mendoj se duhet t’i interpretojmë ndryshe ato që deklarojnë kundërshtarët tanë”, tha Vicente del Bosque. “Shpesh ata thonë të kundërtën e asaj që mendojnë në realitet. Kështu që duhet të përgatitemi për skenarin më të keq të mundshëm. Unë shpresoj që të mbajmë skuadrën turke në gjysmëfushën e saj. Turqia është një ekip i fortë dhe ne nuk duhet të jemi konfuzë”.

Top Channel